Stuhia atlantike “Charles” pritet të mbërrijë në Portugali më 11 nëntor, duke sjellë mot ekstrem dhe erëra të fuqishme, të cilat në zonat më të ekspozuara mund të arrijnë shpejtësinë deri në 140 kilometra në orë.
Përballë kësaj situate, autoritetet portugeze kanë aktivizuar alarmin e kuq në tetë distrikte, mes tyre edhe në Lisbonë. Si masë parandaluese, është vendosur mbyllja e shkollave dhe e shërbimeve publike që nuk konsiderohen thelbësore.
Sipas parashikimeve të BBC Weather, sistemi i fuqishëm atmosferik do të vijojë lëvizjen drejt Evropës, duke prekur fillimisht jugun e Francës dhe veriperëndimin e Italisë. Më pas, ndikimi i tij pritet të shtrihet edhe në disa vende të Ballkanit Perëndimor.
Në Shqipëri, ndryshimi më i theksuar i kushteve atmosferike parashikohet të ndodhë të premten, më 13 nëntor. Reshjet më intensive pritet të përqendrohen në zonat veriore dhe veriperëndimore, ndërsa në pjesën tjetër të territorit parashikohen shira me intensitet më të ulët.
Edhe era do të jetë një tjetër faktor shqetësues. Gjatë së enjtes dhe së premtes, shpejtësia e saj mund të kalojë 80 kilometra në orë në det të hapur, ndërsa pranë brigjeve jugperëndimore pritet të arrijë rreth 65 kilometra në orë.
Situatë e vështirë atmosferike parashikohet edhe përgjatë bregdetit të Adriatikut në Kroaci, ku priten erëra me forcë stuhie. Ndërkohë, në Bosnjë-Hercegovinë, reshjet më të dendura pritet të përfshijnë Hercegovinën dhe pjesët perëndimore të vendit.
Në zonat me lartësi të mëdha mbidetare, gjatë natës mes së premtes dhe së shtunës, reshjet e shiut mund të shndërrohen në dëborë.
Ndikimi i stuhisë dhe masave të paqëndrueshme atmosferike pritet të ndihet gjithashtu në Malin e Zi, Slloveni, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në disa pjesë të Greqisë.
