Arrestohet ish-ministri serb Rade Basta, dyshohet për dëme financiare ndaj ndërmarrjes publike
Ish-ministri i Ekonomisë në Serbi, Rade Basta, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, nën dyshimet për keqpërdorim financiar gjatë kohës kur drejtonte ndërmarrjen publike “Beogradske elektrane”.
Sipas dyshimeve të hetuesve, Basta i ka shkaktuar ndërmarrjes dëme financiare prej dhjetëra milionë dinarësh, përmes autorizimit të pagesave dhe donacioneve që dyshohet se nuk kishin bazë të mjaftueshme ligjore.
Në mesin e përfituesve të mjeteve përmenden disa klube sportive, përfshirë ekipe të futbollit, basketbollit dhe sporteve me kuaj.
Ndërkohë, pjesëtarë të Shërbimit Kundër Korrupsionit po zhvillojnë kontrolle në disa lokacione, ndërsa në kuadër të hetimeve janë ndërmarrë masa ndalimi edhe ndaj personave të tjerë që dyshohet se kanë lidhje me rastin.
Rade Basta ka qenë ministër i Ekonomisë në Serbi nga tetori i vitit 2022 deri në vitin 2023, kur u shkarkua nga kjo pozitë.
Pas largimit nga qeveria, ai themeloi lëvizjen politike “Rruga Evropiane”.
Hetimet për rastin janë në vazhdim, ndërsa dyshimet ndaj Bastës dhe personave të tjerë duhet të vërtetohen përmes procedurave gjyqësore. Arrestimi nuk nënkupton fajësi, deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.
