Një tragjedi e rëndë familjare ka tronditur qytetin e Volosit në Greqi, ku tre fëmijë kanë mbetur jetimë pasi të dy prindërit e tyre humbën jetën brenda pak orësh.
Sipas mediave greke, gjithçka nisi me ndarjen nga jeta të nënës 54-vjeçare, e cila u përcoll për në banesën e fundit të dielën, më 29 mars, në një atmosferë të mbushur me dhimbje dhe pikëllim.
Por tragjedia mori përmasa edhe më të rënda vetëm disa orë më vonë. Mëngjesin e së hënës, më 30 mars, bashkëshorti i saj, gjithashtu 54 vjeç, u gjet i pajetë në banesë, pasi dyshohet se ka pësuar një atak kardiak.
Sipas raportimeve të “Protothema”, ai nuk arriti ta përballojë humbjen e gruas së tij të dashur dhe nënës së tre fëmijëve të tyre, duke e bërë edhe më të rëndë këtë ngjarje tronditëse për familjen dhe të afërmit.
Më të prekurit nga kjo tragjedi janë tre fëmijët e çiftit, të cilët brenda një dite humbën të dy prindërit e tyre.
Funerali i 54-vjeçarit do të zhvillohet nesër në Kishën e Evangjelistrisë, po aty ku të dielën familjarët dhe miqtë i dhanë lamtumirën e fundit 54-vjeçares.