Një tërmet i fuqishëm nënujor me magnitudë 7.4 ballë të shkallës Rihter goditi Indonezinë veriore të enjten, duke rrëzuar ndërtesa, detyruar banorët të largohen nga shtëpitë e tyre dhe duke shkaktuar një cunami të vogël. Nga ngjarja është raportuar të paktën një viktimë dhe disa të plagosur.
Lëkundjet e forta, që zgjatën rreth 10 deri në 20 sekonda, u ndjenë në qytetin Bitung, në provincën e Sulawesi-t të Veriut, si dhe në Ternate, në provincën fqinje të Maluku-t të Veriut. Sipas Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive, epiqendra e tërmetit ndodhej në Detin Molucca, pranë këtyre zonave.
Vlerësimet paraprake tregojnë dëme që variojnë nga të lehta deri në të rënda në disa pjesë të Ternate, ku janë prekur një kishë dhe dy banesa. Ndërkohë, në Bitung autoritetet janë ende duke bërë vlerësimin e plotë të dëmeve.
“Sapo ishim zgjuar dhe papritmas filloi tërmeti… të gjithë dolëm me vrap jashtë. Lëkundjet ishin shumë të forta,” u shpreh një banor i Bitungut, Marten Mandagi.
Agjencia indoneziane e Kërkim-Shpëtimit konfirmoi se një grua 70-vjeçare humbi jetën pas shembjes së një ndërtese në qytetin Manado, ndërsa një person tjetër mbeti i plagosur. Në Ternate, të paktën tre persona të lënduar janë shtruar në spital.
Pas tërmetit kryesor janë regjistruar dhjetëra lëkundje pasuese, përfshirë një me magnitudë 6.2. Autoritetet po vazhdojnë të mbledhin informacione nga zonat e prekura, veçanërisht nga fshatrat e largëta, për të vlerësuar shkallën reale të dëmeve dhe numrin e viktimave.
Valë cunami deri në 75 centimetra mbi nivelin normal të detit u regjistruan në disa pika monitorimi përgjatë bregdetit të Detit Molucca. Megjithatë, paralajmërimi për cunami u hoq disa orë më vonë nga agjencia meteorologjike e Indonezisë, ndërsa autoritetet filipinase deklaruan se nuk kishte rrezik shkatërrues për vendin.
Indonezia, një arkipelag me mbi 280 milionë banorë, ndodhet në një zonë me aktivitet të lartë sizmik dhe goditet shpesh nga tërmetet dhe shpërthimet vullkanike.
Shënim: Edhe pse kjo ngjarje ndodhi në një vend aziatik, duke marrë parasysh se në vendin tonë jetojnë dhe punojnë shumë persona me origjinë nga Indonezia, e konsiderojmë të rëndësishme raportimin e këtij lajmi për informimin e tyre.