ALARM në Shqipëri! Bllokohet çokokremi i importuar me salmonelë, AKU jep urdhrin për asgjësim
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bllokuar një sasi prej 18.3 kg çokokrem “Nudossi Haselnuss-Nougat-Crème”, pas një alarmi të ngritur nga sistemi europian RASFF për praninë e salmonelës në produkt.
Produkti, i importuar nga kompania “Lengo Group”, dyshohet se paraqet rrezik serioz për shëndetin e njeriut dhe pritet të asgjësohet.
Sipas AKU-së, bëhet fjalë për dy lote të çokokremit të prodhuar në Gjermani, me data skadence 26.08.2026 dhe 18.09.2026, ku një pjesë e tyre është bllokuar gjatë kontrolleve në subjektin importues.
Nga sasia totale e importuar prej 27 kg, autoritetet kanë bllokuar 18.3 kg, ndërsa rreth 8.7 kg dyshohet se janë shitur te konsumatorët.
AKU u bën thirrje qytetarëve që nëse e kanë këtë produkt në shtëpi, ta mos e konsumojnë dhe ta kthejnë në pikat e tregtimit ku e kanë blerë.
Hetimet dhe verifikimet vijojnë, ndërsa autoritetet po ndjekin procedurat për menaxhimin e plotë të rrezikut ushqimor.