Tema e matësve inteligjentë të energjisë është rikthyer në fokus me draftin e ri të ligjit për sektorin energjetik, i cili parashikon rregulla të reja për përdorimin e tyre dhe një plan të mundshëm zbatimi në të gjithë vendin.
Sipas projektligjit, instalimi i këtyre pajisjeve nuk do të bëhet menjëherë. Fillimisht do të realizohet një analizë e detajuar për të vlerësuar nëse përfitimet që sjellin matësit inteligjentë justifikojnë kostot e investimit.
Enti Rregullator i Energjisë do të përcaktojë standardet teknike të sistemit, ndërsa operatori i shpërndarjes do të analizojë nëse projekti është ekonomikisht i leverdishëm për t’u zbatuar në shkallë të gjerë.
Në rast se rezultatet janë pozitive, do të hartohet një plan i detajuar 10-vjeçar për instalimin e matësve inteligjentë. Objektivi është që brenda 7 viteve nga nisja e procesit, të paktën 80% e konsumatorëve të pajisen me këto pajisje moderne.
Kostoja e projektit pritet të shpërndahet gradualisht dhe të reflektohet në tarifat e rrjetit. Enti Rregullator i Energjisë do të mbikëqyrë procesin për të garantuar që tarifat të jenë të drejta dhe që konsumatorët të përfitojnë realisht nga ky sistem.
Nëse analiza përfundon negative, instalimi masiv nuk do të realizohet. Megjithatë, qytetarët do të kenë mundësinë të kërkojnë instalimin e një matësi inteligjent për përdorim personal, duke përballuar vetë koston.
Ndërkohë, situata do të rivlerësohet çdo katër vjet, duke marrë parasysh zhvillimet teknologjike dhe ndryshimet në treg.
Sa i përket matësve aktualë, ata do të vazhdojnë të përdoren vetëm nëse përmbushin standardet e reja teknike. Pajisjet që nuk i plotësojnë këto kërkesa do të duhet të zëvendësohen deri në vitin 2031.