Kjo javë ka nisur nën ndikimin e masave të ngrohta ajrore dhe kjo situatë do të vijojë edhe gjatë së martës. Megjithatë, pritet një destabilizim i lehtë i atmosferës, duke sjellë rrebeshe të izoluara shiu në disa zona gjatë orëve të pasdites.
Nga dita e mërkurë, gradualisht do të depërtojnë masa më të ftohta ajrore, të cilat do të sjellin shtim të vranësirave dhe reshje lokale shiu, kryesisht në orët e pasdites dhe mbrëmjes. Po ashtu, pritet edhe një rënie e ndjeshme e temperaturave.
Të enjten, vendi do të ndikohet plotësisht nga masa të ftohta ajrore me origjinë polare. Moti do të jetë kryesisht i vranët, me reshje të herëpashershme shiu, ndërsa në zonat malore priten reshje bore.
Edhe të premten do të mbizotërojë mot me alternime kthjellimesh dhe vranësirash. Lokalisht mund të ketë reshje të izoluara shiu, ndërsa në zonat malore reshje bore. Në orët e mëngjesit, në varësi të kthjellimeve, temperaturat mund të zbresin nën zero.
Nuk përjashtohet mundësia që gjatë së enjtes dhe së premtes, fjolla bore të shfaqen edhe në zona më të ulëta, veçanërisht në rajonin e Llapit.
Të shtunën pritet mot me diell dhe vranësira, me reshje të pakta lokale shiu. Edhe në këtë ditë, mëngjeset do të jenë të ftohta, me temperatura negative.
Ndërsa dita e diel do të sjellë mot të qëndrueshëm me diell dhe vranësira, si dhe ndonjë reshje të izoluar. Temperaturat maksimale do të fillojnë të shënojnë rritje.
Era do të fryjë kryesisht nga verilindja, herë pas here me intensitet të lartë, duke arritur shpejtësi nga 15 deri në 52 km/h.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga -2 deri në 9°C, ndërsa maksimalet nga 6 deri në 26°C.