Kryetari i Partisë së Lirisë dhe ish-presidenti i vendit, Ilir Meta, ka folur në një intervistë për emisionin “Opinion” të Blendi Fevziu, ku ka treguar për kushtet në paraburgimin e Durrësit, ku ndodhet prej afro dy vitesh.
Meta shprehet se të drejtat e tij janë shkelur, duke iu referuar edhe konstatimeve të Avokati i Popullit. Sipas tij, që nga 2 korriku 2025, pas një interviste të dhënë për gazetaren Aida Toncica, ai është vendosur në izolim ekstrem dhe nuk i është dorëzuar vendimi i dënimit, duke vënë në pikëpyetje të drejtën e ankimit.
Gjatë intervistës, ai theksoi se së fundmi është takuar me Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Adriatik Kupi, dhe se do t’i paraqesë kërkesat e tij me shkrim, të bazuara në Kushtetutë dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Në lidhje me arrestimin, Meta ngre dyshime serioze, duke deklaruar se ekziston një diferencë prej 1 ore e 58 minutash mes momentit të ndalimit dhe arrestimit zyrtar. Ai pretendon se për këtë periudhë nuk ekziston asnjë procesverbal zyrtar dhe e quan këtë një shkelje të rëndë proceduriale.
Ish-presidenti ka kritikuar ashpër edhe procesin gjyqësor ndaj tij, duke e cilësuar si të padrejtë dhe të mbushur me parregullsi. Ai përmendi edhe reagimin e ish-kryeministrit italian Matteo Renzi, duke theksuar se rasti i tij ka shkaktuar shqetësim më të gjerë.
Meta përmendi gjithashtu emra të përfshirë në proces, si avokati Genc Gjokutaj dhe gjyqtarë të ndryshëm, duke ngritur pretendime për konflikt interesi dhe mungesë standardesh në hetim dhe gjykim.
Pavarësisht situatës në izolim, ai thekson se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga jeta politike.