“Më vrisni, nuk meritoj të jetoj” – me këto fjalë raportohet se e ka nisur dëshminë para policisë 57-vjeçari që shkaktoi aksidentin tragjik mesditën e së dielës në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë, ndërsa një tjetër ndodhet në gjendje kritike te Spitali i Traumës.
Sipas raportimeve nga terreni, autori i dyshuar, Nikollë Rradaçi, është marrë në pyetje dy herë nga grupi hetimor. Fillimisht ai nuk ka qenë në gjendje të japë një dëshmi të qartë, për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike dhe ndikimit të alkoolit.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se 57-vjeçari ka pranuar se kishte konsumuar alkool para se të ndodhte aksidenti dhe se nuk kujton momentin e ngjarjes. Ai ka shprehur tronditje për pasojat e rënda që shkaktoi.
Ndërkohë, banorët e zonës e përshkruajnë si një person problematik prej kohësh, duke theksuar se kishin bërë disa herë ankesa në polici për drejtim të rrezikshëm dhe në gjendje të dehur.
Madje, vetëm një ditë para tragjedisë, një banor kishte arritur të shmangte për pak një aksident së bashku me nipin e tij të mitur. Mësohet gjithashtu se ai ishte penalizuar edhe më parë nga autoritetet, madje në dy raste i ishte hequr leja e drejtimit për të njëjtën arsye.
Për banorët, kjo ngjarje e rëndë shihet si një tragjedi e paralajmëruar.