Sinoptikania e MeteoAlb, Lajda Porja, paralajmëron një rritje të shpejtë të temperaturave gjatë ditëve në vijim, duke sinjalizuar afrimin e një vale të hershme të nxehti.
Pas një fillimi të butë, me temperatura që arrijnë deri në 24°C, nga dita e martë pritet një rritje në 26°C, ndërsa të mërkurën termometri do të shënojë deri në 27°C.
Kulmi i temperaturave do të vijë nga dita e premte dhe gjatë fundjavës, kur në ultësirën perëndimore pritet që vlerat të arrijnë 29–30°C. Ndërkohë, në qytete si Elbasani, Berati dhe Gjirokastra, temperaturat mund të ngjiten deri në 31°C, duke sjellë një ndjesi të hershme vere.
Sa i përket kushteve atmosferike, moti do të jetë kryesisht i qëndrueshëm dhe me kthjellime. Megjithatë, në mesjavë priten vranësira kalimtare dhe reshje të shkurtra në zonat veriore dhe lindore të vendit.
Fundjava pritet të jetë më e nxehta e kësaj pranvere deri më tani, duke krijuar kushte ideale për aktivitete në natyrë dhe në bregdet.