Një ngjarje e rëndë është raportuar paraditen e djeshme në Zveçan, ku një person është gjetur pa shenja jete brenda një hoteli, në rrethana që po hetohen nga autoritetet.
Sipas të dhënave, rasti ka ndodhur në rrugën “Nemanjina”, në ambientet e Hotel “3”. Emergjenca ka marrë një telefonatë për një person të dyshuar pa shenja jete dhe ekipet mjekësore kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.
Rreth orës 11:00, mjekët kanë konfirmuar vdekjen e një 61-vjeçari të identifikuar si Hamdi Alia. Menjëherë pas kësaj, në vendngjarje kanë mbërritur policia, hetuesia rajonale dhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar hapjen e hetimeve për “vdekje të dyshimtë”.
Shkaqet e vdekjes ende nuk janë bërë të ditura, ndërsa autoritetet po vijojnë punën për sqarimin e plotë të rrethanave. Trupi i pajetë do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.