Një grua 60-vjeçare ka mbetur e tronditur pasi pësoi mbi 200 pickime nga çimkat gjatë një nate në një hotel ku kishte paguar 170 euro nata.
Ajo tregoi se kur u zgjua në mëngjes, vuri re pika gjaku në çarçafë dhe një insekt pranë saj. Pas kontrollit, rezultoi se ishte pickuar në të gjithë trupin nga çimkat.
“Kam udhëtuar në të gjithë botën dhe kjo është hera e parë që më ndodh diçka e tillë. Ishte e tmerrshme të zgjohesha me kaq shumë pickime,” u shpreh 60-vjeçarja.
Ngjarja ka ndodhur në Britani, ku ajo po kalonte pushimet së bashku me disa miq të saj. Sipas saj, nuk e kishte imagjinuar kurrë që një hotel me çmim kaq të lartë mund të kishte kushte të tilla.