Edi Rama e paraqiti ardhjen e Lidl si një sukses të madh të qeverisë dhe si provë se Shqipëria po tërheq investitorë të rëndësishëm europianë. Por pas deklaratave optimiste, burime nga tregu flasin për një histori krejt tjetër: vite negociatash të zvarritura, pasiguri ligjore dhe mungesë garancish për konkurrencë të ndershme.
Sipas burimeve të sektorit, kontaktet mes grupit Schwarz, që zotëron LIDL, dhe autoriteteve shqiptare nuk janë të reja. Bisedimet për hyrjen në treg kanë nisur prej kohësh, por procesi është ngadalësuar vazhdimisht nga klima e paqartë e biznesit dhe mungesa e standardeve të qëndrueshme.
Në daljen e tij publike, Rama deklaroi se përfaqësuesit e LIDL ndodhen në Shqipëri dhe po punojnë për hapjen e pikës së parë. Ai përdori edhe mesazhin politik: “Kur vijnë gjermanët, je në një nivel tjetër”. Megjithatë, sipas informacioneve që qarkullojnë në treg, kompania gjermane ka treguar rezervë për t’u futur shpejt në një ambient ku rregullat shpesh perceptohen si të paqarta dhe konkurrenca si e deformuar.
Burimet thonë se gjatë kësaj periudhe tregu shqiptar i shitjes me pakicë ka kaluar ndryshime të forta, me hyrje operatorësh të rinj dhe blerje rrjetesh që përballeshin me probleme financiare. Në qarqet e biznesit është krijuar bindja se ardhja e një gjigandi si LIDL mund të ndryshojë ekuilibrat e retail-it në vend.
Sipas të njëjtave burime, pala gjermane nuk ka kërkuar privilegje apo trajtim të veçantë, por zbatim të ligjit, standarde të njëjta për të gjithë dhe siguri për investimin afatgjatë. Pikërisht këtu qëndron edhe kontradikta kryesore: qeveria flet për klimë të favorshme biznesi, ndërsa vetë vonesat shumëvjeçare ngrenë pikëpyetje mbi pengesat reale që ka hasur investitori.
Burime jozyrtare pretendojnë se për një periudhë të gjatë kompania ka shmangur angazhimet konkrete, duke pritur garanci më të forta institucionale. Sipas tyre, LIDL ka mbajtur distancë edhe nga përdorimi politik i emrit të saj, duke preferuar të veprojë sipas logjikës tregtare dhe jo si pjesë e propagandës qeveritare.
Nëse rrjeti gjerman hap pikën e parë në Tiranë, kjo pritet të sjellë konkurrencë të re në tregun shqiptar. Por njëkohësisht do të rikthejë debatin mbi arsyet pse një investitor i përmasave të tilla nuk hyri më herët në Shqipëri.