Detaje të reja janë bërë publike lidhur me aksidentin tragjik që ndodhi gjatë orëve të vona të mbrëmjes së kaluar në aksin Radishan–Prishtinë–Mirkovcë, ku një veturë u përplas me një kamion, duke shkaktuar humbjen e jetës së katër personave.
Sipas informacioneve paraprake, viktimat ndodheshin në një automjet tip BMW me targa të Shkupit. Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta dhe ka tronditur opinionin publik në Maqedoninë e Veriut.
Mediat maqedonase raportojnë se mes viktimave është edhe Riste Velkov, bariton dhe solist i Operës dhe Baletit Nacional, së bashku me djalin e tij 20-vjeçar.
Velkov, 51 vjeç, ishte një emër i njohur në skenën operistike maqedonase. I lindur në Shkup, ai gëzonte reputacion të lartë për interpretimet e tij në produksionet “belkanto”, ndërsa gjatë karrierës kishte realizuar dhjetëra role në opera të njohura botërore si “Nabucco”, “Rigoletto”, “Macbeth” dhe “La Traviata”.
Sipas të dhënave fillestare nga hetimet, dyshohet se aksidenti ndodhi pasi një kamion me targa të Kosovës humbi kontrollin, kaloi në korsinë e kundërt dhe u përplas me automjetin ku udhëtonin viktimat.