Vendimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për ndarjen e nga 100 eurove për pensionistët, studentët, fëmijët dhe punëtorët e sektorit privat ka ndezur reagime të shumta në skenën politike në Kosovë.
Opozita ka shpërthyer me kritika të ashpra ndaj Qeverisë, duke e cilësuar këtë lëvizje si një “manovër elektorale” dhe tentativë për të fituar mbështetje politike përmes ndihmave financiare të përkohshme. Sipas tyre, qytetarët nuk kanë nevojë për “lëmoshë njëherëshe”, por për rritje reale të pagave, pensioneve dhe përmirësim të standardit jetësor.
Edhe analistë ekonomikë kanë shprehur dilema mbi efektin afatgjatë të këtyre masave, duke theksuar se ndihmat e tilla mund të zbusin përkohësisht vështirësitë ekonomike, por nuk e zgjidhin krizën financiare me të cilën përballen shumë familje.
Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës ka mbrojtur fuqishëm vendimin, duke deklaruar se mbështetja financiare është e domosdoshme për t’i ndihmuar qytetarët të përballojnë rritjen e çmimeve dhe inflacionin. Kurti ka theksuar se shteti nuk do t’i lërë qytetarët vetëm në këtë periudhë të vështirë ekonomike.
Paketa e re financiare parasheh nga 100 euro për pensionistët, studentët aktivë, fëmijët dhe punëtorët e sektorit privat, ndërsa ekzekutimi i pagesave pritet të nisë gjatë ditëve në vijim.