Momente paniku janë regjistruar në një avion të kompanisë ajrore Jet2, pasi piloti pësoi një atak në zemër gjatë fluturimit nga Tenerife drejt Birminghamit, ndërsa në bord ndodheshin rreth 220 pasagjerë.
Sipas raportimeve, ngjarja ndodhi ndërsa avioni po fluturonte në lartësi të madhe. Menjëherë pas emergjencës mjekësore, ekuipazhi kërkoi ndihmë nga pasagjerët për ndonjë mjek në bord, ndërsa bashkëpiloti mori kontrollin e avionit dhe nisi procedurat për ulje emergjente.
Pasagjerët kanë treguar se në kabinë u krijuan skena tensioni dhe frike, me fëmijë që qanin dhe udhëtarë të shqetësuar për situatën.
Fatmirësisht, avioni arriti të ulej në mënyrë të sigurt në aeroportin e Portos rreth orës 02:11 të mëngjesit. Piloti u dërgua menjëherë në spital për trajtim mjekësor, ndërsa pasagjerët vazhduan më vonë udhëtimin drejt Britanisë me një tjetër avion.
Në reagimin e saj zyrtar, kompania Jet2 deklaroi se siguria e pasagjerëve nuk u rrezikua në asnjë moment dhe kërkoi ndjesë për shqetësimin e shkaktuar. Kompania njoftoi gjithashtu se do të ofrojë ndryshime falas për udhëtimet e ardhshme të pasagjerëve të prekur nga incidenti.