Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka bërë të ditur se ceremonia e faljes së Kurban Bajramit do të mbahet të mërkurën, më 27 maj 2026, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Besimtarët janë ftuar të marrin pjesë në këtë aktivitet fetar, i cili do të nisë herët në mëngjes sipas programit të përcaktuar nga organizatorët.
Aktiviteti do të hapet në orën 06:00, ndërsa pesë minuta më vonë do të lexohet Kurani nga Hafiz Enes Hyka. Në vijim, të pranishmit do të përshëndeten nga kreu i KMSH-së, Bujar Spahiu, ndërsa një ligjëratë do të mbahet nga nënkryetari Taulant Bica.
Falja e namazit të Bajramit do të zhvillohet në orën 06:30, e udhëhequr nga Kryetari i KMSH-së. Më pas, hutben e Bajramit do ta mbajë Myftiu i Tiranës, Bilal Teqja.
Programi i plotë:
06:00 – Hapja e programit
06:05 – Lexim Kurani nga Hafiz Enes Hyka
06:10 – Fjala përshëndetëse e Kryetarit të KMSH-së, H. Bujar Spahiu
06:20 – Ligjëratë nga Taulant Bica
06:30 – Falja e namazit të Bajramit
06:35 – Hutbeja e Bajramit nga Bilal Teqja