Një 13-vjeçar është dërguar në spital pasi një zjarr ka shpërthyer sot në një banesë në qendër të Shkupit, raportojnë mediat lokale. Fëmija ka pësuar djegie dhe ka thithur tym gjatë përpjekjes për të shuar flakët vetë, duke shkaktuar shqetësim te banorët e zonës.
Sipas informacioneve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ngjarja është raportuar rreth orës 12:40, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë zjarrfikësit dhe ekipi i Ndihmës së Shpejtë.
Burime jozyrtare bëjnë të ditur se fëmija ndodhej vetëm në banesë dhe kishte tentuar të gatuante, kur një send kuzhine është përfshirë nga flakët. Në përpjekje për ta shuar zjarrin, ai ka nxjerrë objektet e djegura në ballkon, ku ndodheshin edhe rroba të varura, duke shkaktuar tym të dendur që alarmoi banorët përreth.
Fëmija ka arritur të dalë në kohë nga banesa para përhapjes së mëtejshme të zjarrit dhe më pas është transportuar me autoambulancë në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit në Shkup. Gjendja e tij shëndetësore ende nuk është bërë e ditur zyrtarisht.