Një lajm i dhimbshëm është raportuar në ditën e shenjtë për besimtarët myslimanë, pasi Haxhi Shefki Latifi ka ndërruar jetë gjatë faljes së namazit në xhaminë e fshatit Kmetoc.
Ngjarja është konfirmuar nga familjarët e 72-vjeçarit, të cilët kanë theksuar se Latifi do të kujtohet si një njeri i lidhur ngushtë me xhaminë dhe jetën fetare. Sipas tyre, ai ndërroi jetë pikërisht në vendin ku kalonte pjesën më të madhe të kohës së tij shpirtërore.
Shefki Latifi njihej gjithashtu si përfaqësues i banorëve të zonës së Gjilanit, ku ka ngritur shpesh shqetësime për problemet infrastrukturore, përfshirë mungesën e kanalizimeve.
Humbja e tij ka lënë pikëllim të thellë tek familjarët, miqtë dhe komuniteti lokal në Gjilan dhe më gjerë, të cilët e vlerësojnë për kontributin e dhënë ndër vite.
Ai do të përcillet për në banesën e fundit ditën e nesërme, me ceremoninë mortore që do të mbahet në orën 13:00 në varrezat e fshatit Kmetoc.
Familjarët kanë reaguar me fjalët: “Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi”, duke e cilësuar ndarjen e tij nga jeta si një moment të rëndë për familjen dhe komunitetin.