Muaji qershor pritet të nisë me temperatura të larta dhe mot tipik veror në të gjithë territorin shqiptar. Sipas sinoptikanes Lajda Porja, vendi do të ndikohet nga masa ajrore të nxehta me origjinë afrikane, të cilat do të sjellin temperatura deri në 34 gradë Celsius që në javën e parë të muajit.
Ajo bëri me dije se pas datës 5 qershor pritet një tjetër rritje graduale e temperaturave, ku termometri mund të arrijë deri në 35–36°C, sidomos në zonat e ulëta dhe qytetet e brendshme të vendit.
Sipas meteorologes, këto masa të nxehta do të jenë prezente gjatë pjesës më të madhe të verës, megjithëse herë pas here mund të ketë ndërprerje të shkurtra.
Megjithatë, moti nuk do të jetë plotësisht i qëndrueshëm. Temperaturat e larta pritet të favorizojnë krijimin e vranësirave konvektive, të cilat do të sjellin reshje të shkurtra dhe lokale në disa zona të vendit.
Fenomenet atmosferike më të shpeshta parashikohen kryesisht në zonat malore dhe lindore, ndërsa bregdeti pritet të dominohet nga moti i kthjellët dhe temperaturat e larta.
Ndër qytetet ku mund të regjistrohen reshje të izoluara përmenden Tirana, Kukësi, Puka, Bajram Curri, Peshkopia, Bulqiza, Korça, Pogradeci, Erseka, Tepelena dhe Gjirokastra.
Parashikimet meteorologjike tregojnë se moti do të mbetet kryesisht i qëndrueshëm deri rreth datës 10 qershor, ndërsa më 11 dhe 12 qershor mund të ketë një ndërprerje të shkurtër me reshje kalimtare, përpara rikthimit të temperaturave të larta dhe kthjellimeve.