Zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitri Medvedev, ka reaguar pas incidentit të ndodhur në Rumani, ku një dron rus u rrëzua mbi një pallat në qytetin Galati.
Në deklaratën e tij, Medvedev tha se ngjarje të tilla mund të përsëriten dhe paralajmëroi vendet evropiane se “duhet të përgatiten”, duke e cilësuar situatën si luftë të drejtpërdrejtë mes Rusisë dhe Perëndimit.
Ai theksoi se shtetet e Bashkimit Evropian, sipas tij, janë tashmë pjesë e konfliktit për shkak të mbështetjes ndaj Ukrainës, ndërsa shtoi se qytetarët evropianë nuk mund të ndihen më plotësisht të sigurt.
Reagimi i Medvedev erdhi pasi Rusia intensifikoi sulmet me dronë pranë kufirit rumun. Sipas autoriteteve rumune, një dron hyri në hapësirën ajrore të vendit dhe goditi çatinë e një pallati 10-katësh në Galati, duke shkaktuar zjarr dhe plagosjen e lehtë të dy personave.
Ministria e Jashtme e Rumanisë e dënoi incidentin, duke e quajtur një përshkallëzim serioz dhe të papërgjegjshëm të situatës në rajon.