Temperaturat e larta do të vijojnë të dominojnë motin në vend edhe gjatë fundjavës, ndërsa termometri pritet të arrijë deri në 35 gradë Celsius. Sipas parashikimeve, kushte të qëndrueshme atmosferike do të mbizotërojnë jo vetëm gjatë ditëve në vijim, por edhe në fillim të javës së ardhshme.
Meteorologët bëjnë të ditur se moti do të jetë kryesisht i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit, megjithëse në disa zona priten vranësira të pakta deri mesatare kalimtare. Në zonat malore nuk përjashtohen reshje të dobëta shiu me karakter lokal.
Temperaturat maksimale në ultësirën perëndimore do të luhaten nga 33 deri në 35 gradë Celsius, ndërsa në zonat malore do të variojnë nga 30 deri në 32 gradë Celsius.
Sa i përket temperaturave të mëngjesit, në relievet malore ato do të zbresin në 10-13 gradë Celsius, ndërsa në ultësirën perëndimore do të regjistrohen vlera nga 14 deri në 18 gradë Celsius.
Era do të fryjë me një shpejtësi mesatare prej rreth 7 m/s, ndërsa në ditë të caktuara mund të arrijë deri në 14-15 m/s.
Sipas specialistëve të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, temperaturat që po përjetohen aktualisht janë rreth 1 deri në 3 gradë Celsius më të larta se mesatarja klimatike e kësaj periudhe.