Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka bërë të ditur nisjen e procesit të rimbursimit të një fondi prej 517,731,642 lekësh për individët që kanë deklaruar 1 ose 2 fëmijë në ngarkim në DIVA 2025 dhe kanë rezultuar me tatim të mbipaguar.
Pak ditë më parë, Administrata Tatimore njoftoi se nga ky proces do të përfitojnë 34,263 individë, të cilët kanë plotësuar Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave dhe, pas verifikimeve, kanë rezultuar se kanë paguar më shumë tatim sesa detyrimi i tyre real.
Sipas Tatimeve, rimbursimi bazohet në të dhënat e deklaruara në DIVA 2025 dhe do të kryhet përmes transferimit të shumave në llogaritë bankare të deklaruara nga përfituesit.
Ky mekanizëm konsiderohet një lehtësi fiskale për familjet me fëmijë në ngarkim, duke synuar kthimin e shumave të paguara tepër dhe mbështetjen e buxhetit familjar.
Administrata Tatimore thekson se përfitimi lidhet me deklarimin e saktë të të ardhurave dhe të fëmijëve në ngarkim, ndërsa procesi synon gjithashtu të rrisë transparencën dhe efikasitetin e sistemit tatimor.
Pagesat do të kalojnë automatikisht në llogaritë bankare të individëve përfitues, sipas të dhënave të deklaruara gjatë procesit të aplikimit.