Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj pretendimeve se shteti po i fal territorin e Zvërnecit investitorëve privatë, duke i cilësuar këto raportime si lajme të rreme.
Gjatë një aktiviteti publik, kreu i qeverisë sqaroi se bëhet fjalë për një pronë private dhe jo për pasuri shtetërore, duke theksuar se shteti nuk po transferon apo fal asnjë pronë në atë zonë.
“Shteti nuk po fal asgjë, sepse aty nuk ka pronë shtetërore që të falet. Bëhet fjalë për një pronë private prej shumë kohësh. Investitorët e përfshirë janë shumë seriozë dhe e kanë përfituar pronën nga pronarët privatë. Shteti është pjesë e projektit dhe do të mbetet i përfshirë, ndërsa toka e ishullit do të vazhdojë të jetë pronë e shtetit shqiptar,” u shpreh Rama.
Deklarata u bë gjatë prezantimit të kompanisë Albanian Digital Solution Sh.A., një nismë që sipas Kryeministrit synon modernizimin e shërbimeve publike dhe nxitjen e inovacionit teknologjik në vend.
Rama theksoi se projekti në Zvërnec po shoqërohet me shumë keqinformim dhe se qytetarët duhet të bazohen te faktet dhe dokumentacioni zyrtar për të kuptuar natyrën e investimit.