“Një përzierje e së vërtetës dhe e pasaktësive” kanë karakterizuar deklaratat e fundit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, lidhur me një marrëveshje të mundshme që do t’i jepte fund luftës në Iran, sipas burimeve që folën për agjencinë gjysmëzyrtare iraniane të lajmeve Fars.
Sipas këtyre burimeve, Trump ka deklaruar se Irani është i gatshëm të hapë Ngushticën e Hormuzit pa tarifa, ndërsa një kusht i tillë nuk figuron në tekstin e marrëveshjes.
Pas heqjes së bllokadës së anijeve iraniane nga ana e SHBA-së, ngushtica do të rihapet në bazë të masave të sigurisë që do të ndërmarrë Teherani, thuhet në raportimet e Fars.
Komentet e presidentit amerikan, sipas agjencisë, përbëjnë “përpjekje për të paraqitur një fitore të sajuar”.
Ndërkohë, në dokument nuk përmendet shkatërrimi i materialit bërthamor që zotëron Irani. Përkundrazi, kushtet përfshijnë pagesën e menjëhershme të 12 miliardë dollarëve për Teheranin nga fondet e ngrira, si dhe një armëpushim të plotë në Liban.
Të njëjtat burime bëjnë të ditur se ky “memorandum mirëkuptimi” ndodhet në fazat përfundimtare të ratifikimit në Iran, por ende nuk është marrë një vendim final.
Më herët, në një postim në platformën Truth Social, Trump deklaroi se po përgatitej të merrte “vendimin përfundimtar” për një marrëveshje të mundshme, duke theksuar se Ngushtica e Hormuzit duhet të hapet “menjëherë”, ndërsa uraniumi i pasuruar duhet “të shkatërrohet”.
Një burim iranian për Reuters ka mohuar gjithashtu pretendimet për fatin e uraniumit të pasuruar, duke thënë se ato “nuk janë të vërteta” dhe se memorandumi nuk përfshin kushte për programin bërthamor.