Një mërgimtar ka denoncuar një rast të dyshuar mashtrimi pas rezervimit të dy biletave ajrore përmes kompanisë “Prishtina Wings”.
Sipas M. Hakajt, më 30 maj ai rezervoi dy bileta për linjën Prishtinë–Shtutgart, por në ditën e udhëtimit u njoftua në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës se emri i tij nuk figuron në listën e pasagjerëve. Ai pretendon se biletat e lëshuara nga kompania rezultuan të pavlefshme, duke i shkaktuar një humbje financiare prej 318 eurosh.
“U përpoqa të komunikoja me agjencinë, por nuk pata asnjë mundësi kontakti. Më pas ajo u zhduk edhe nga Facebook-u, madje edhe nga interneti. Para pagesës e kisha kërkuar në Google dhe kisha gjetur se selia e saj figuron në Mynih të Gjermanisë. Në ditën e fluturimit, kompania u zhduk plotësisht”, ka deklaruar Hakaj për IndeksOnline.
Ai tregon se, për të mos humbur vendin e punës, u detyrua të rezervonte një fluturim tjetër më 2 qershor drejt Baselit, nga ku më pas vazhdoi udhëtimin për në Shtutgart.
Sipas tij, gjatë procesit të rezervimit kishte ndarë me kompaninë të gjitha të dhënat e kërkuara për finalizimin e pagesës dhe marrjen e biletave. Megjithatë, në momentin kur u paraqit për check-in, ai nuk arriti të merrte asnjë përgjigje nga përfaqësuesit e kompanisë, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për kontakt.
IndeksOnline bën të ditur se posedon dëshmi të komunikimit ndërmjet palëve.
Hakaj ka raportuar rastin në Policinë e Gjermanisë, ndërsa për ngjarjen ka njoftuar edhe Policinë e Kosovës. Autoritetet përkatëse janë vënë në dijeni për pretendimet e tij dhe dëmin financiar të shkaktuar.