Që nga 1 qershori 2026, Kroacia ka nisur zbatimin e plotë të rregullave të reja të Bashkimit Evropian për hyrjen e mallrave në territorin doganor të BE-së, duke vendosur procedura më të rrepta për transportin rrugor dhe hekurudhor, raportojnë mediat kroate.
Sipas rregullave të reja, është bërë i detyrueshëm dorëzimi i Deklaratës së Përmbledhur Hyrëse (ENS/USD) për të gjitha mallrat që hyjnë në Bashkimin Evropian përmes pikave doganore të hyrjes së parë në Kroaci.
Përgjegjësia për paraqitjen e deklaratës i takon kryesisht transportuesit, por ajo mund të dorëzohet edhe nga përfaqësuesi i tij, marrësi i mallit ose një person tjetër i autorizuar. Të gjithë subjektet që paraqesin deklaratën duhet të disponojnë një numër aktiv EORI të regjistruar në Bashkimin Evropian.
Deklarata duhet të dorëzohet të paktën një orë para mbërritjes së mallit në rastin e transportit rrugor, ndërsa për transportin hekurudhor afati varion nga një deri në dy orë para mbërritjes.
Autoritetet paralajmërojnë se mosdorëzimi në kohë i deklaratës mund të sjellë vonesa, kontrolle shtesë dhe pengesa në procedurat doganore.
Megjithatë, nga ky detyrim përjashtohen sendet që gjenden në bagazhin personal të udhëtarëve. Me bagazh personal nënkuptohen sendet e nevojshme për udhëtim, si dhe artikujt për përdorim vetjak gjatë qëndrimit.