Së fundmi, një nga debatet më të nxehta në vend është çështja e ndërtimit të resortit në Zvërnec. Një pjesë e qytetarëve po protestojnë prej disa ditësh, duke kundërshtuar projektin që sipas tyre rrezikon mjedisin dhe zonat e mbrojtura, ndërsa nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se projekti do të realizohet, pasi është në interes të zhvillimit të vendit.
Protesta e qytetarëve nuk është kufizuar vetëm para Kryeministrisë, por ka vazhduar edhe në rrjetet sociale, ku disa prej tyre kanë komentuar edhe në postimet e Ivanka Trump, vajza e ish-presidentit amerikan Donald Trump.
Ajo kishte publikuar një fotografi në Instagram së bashku me bashkëshortin e saj Jared Kushner gjatë një aktiviteti, por postimi u shoqërua me një numër të madh komentesh nga përdorues shqiptarë.
“Hiqi duart nga Vjosa”, “Nuk ke punë në vendin tonë”, “Shqipëria nuk blihet” ishin disa prej mesazheve që spikatën në komentet e tyre.
Prej vitesh, ky projekt – që përfshin një kompleks luksoz hotelesh me vlerë rreth 1.4 miliardë dollarë në një zonë bregdetare dhe zhvillime turistike në hapësira me rëndësi të lartë mjedisore – ka ngjallur debate të forta mbi ndikimin në natyrë dhe mungesën e transparencës.