Shpërthim me lëndë plasëse në Lezhë, tritoli vendoset në derën e një banese
Një shpërthim i fortë me lëndë plasëse ka tronditur fshatin Rrilë të Lezhës në orët e para të mëngjesit të së shtunës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00, kur një sasi eksplozivi është vendosur dhe ka shpërthyer në hyrje të një banese dykatëshe.
Sipas informacioneve paraprake, banesa është në pronësi të shtetasit Mirash Mirashi. Në momentin e shpërthimit, brenda shtëpisë ndodheshin bashkëshortët, të cilët fatmirësisht kanë shpëtuar pa lëndime.
Megjithatë, shpërthimi ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në objekt dhe në ambientet përreth, duke shkaktuar panik te banorët e zonës.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie, të cilat kanë nisur hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të këtij sulmi me eksploziv.
Autoritetet po punojnë për grumbullimin e provave dhe dokumentimin e ngjarjes, ndërsa hetimet vijojnë.