Rama mbron investimin në Zvërnec: As protestat nuk e ndalin këtë projekt
Kryeministri Edi Rama ka dalë në mbrojtje të projektit të investimit në Zvërnec, duke theksuar se ai është bërë publik prej kohësh dhe se gëzon mbështetjen e shumicës së qytetarëve.
Gjatë një takimi me banorë të zonës, Rama deklaroi se kundërshtimet dhe protestat nuk do të ndikojnë në ecurinë e projektit, pasi sipas tij, qeveria ka marrë mandatin për të realizuar programin e prezantuar para zgjedhjeve.
“Jo 5 mijë veta, por edhe 500 mijë të dalin në shesh, nuk mjaftojnë. Janë mbi 800 mijë qytetarë që kanë bërë marrëveshje me mua dhe me Partinë Socialiste. Ky investim nuk u shfaq papritur, por është prezantuar prej kohësh dhe është pjesë e vizionit tonë për zhvillimin e zonës”, u shpreh kryeministri.
Për të mbështetur argumentin e tij, Rama solli në vëmendje shembullin e Tivatit në Mal të Zi, duke theksuar se investimet strategjike në turizëm kanë transformuar zona që dikur konsideroheshin të pazhvilluara.
“Isha në Tivat dhe erdha direkt prej andej. Dikur ishte një nga zonat më pak të zhvilluara në Mal të Zi, ndërsa sot është kthyer në një destinacion të rëndësishëm turistik falë investimeve”, tha ai.
Deklaratat e kryeministrit vijnë në një moment kur projekti në Zvërnec vazhdon të ngjallë debat publik, me një pjesë të banorëve dhe aktivistëve të mjedisit që shprehin shqetësime për ndikimin e tij në zonën e mbrojtur.