Policia paralajmëron qytetarët: Kujdes nga SMS-të mashtruese që synojnë vjedhjen e të dhënave bankare
Policia e Shtetit ka ngritur alarmin për një valë të re mesazhesh mashtruese që po qarkullojnë në telefonat e qytetarëve, me qëllim vjedhjen e të dhënave personale dhe financiare.
Sipas Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, mesazhet paraqiten në mënyrë të rreme si njoftime nga kompani postare për dorëzimin e pakove dhe përmbajnë lidhje të dyshimta që u kërkojnë qytetarëve të ndërmarrin veprime urgjente.
Autoritetet bëjnë të ditur se qëllimi i këtyre mesazheve është:
- Përvetësimi i të dhënave personale;
- Vjedhja e informacionit bankar;
- Aksesi i paautorizuar në llogaritë financiare të qytetarëve.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike thekson se bëhet fjalë për tentativa mashtrimi dhe u kërkon qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal.
Çfarë duhet të bëni?
- Mos klikoni në lidhje (linke) të dërguara nga numra të panjohur;
- Mos jepni të dhëna personale apo bankare;
- Mos ndiqni udhëzime që kërkojnë veprime urgjente pa i verifikuar më parë.
Rekomandimet e Policisë
- Fshini menjëherë mesazhe të tilla;
- Mos ndërveproni me përmbajtjen e tyre;
- Raportoni çdo rast të dyshimtë pranë autoriteteve kompetente.
Policia e Shtetit thekson se mbetet e angazhuar në identifikimin dhe goditjen e skemave mashtruese në internet, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe rritjen e sigurisë digjitale në vend.