Tragjedi në Britani: 19-vjeçari humb jetën pas mbytjes në liqen
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Nottinghamshire të Britanisë së Madhe, ku një 19-vjeçar ka humbur jetën pas mbytjes në një liqen.
Viktima, i identifikuar si Panashe Muchenje, nga Nottingham, ndodhej me dy miqtë e tij në liqenin Balderton, pranë Newark, gjatë një dite me temperatura të larta më 28 maj.
Sipas të dhënave paraprake, i riu ka hyrë në ujë dhe më pas ka pasur vështirësi për të qëndruar në sipërfaqe.
Autoritetet policore bëjnë të ditur se ai është nxjerrë nga uji pas rreth 22 minutash, ndërsa ekipet e emergjencës i kanë dhënë ndihmën e parë dhe e kanë transportuar me urgjencë në spital. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 19-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë.
Familjarët e kanë cilësuar ngjarjen si një aksident tragjik, duke theksuar se i riu nuk ishte notar i mirë, por kishte vetëm aftësi bazë. Nipi i tij, Maxwell Muchenje, ka deklaruar për mediat lokale se Panashe ishte një i ri energjik, i dashur dhe shumë i përfshirë në aktivitetet e komunitetit të kishës.
Familja ka bërë thirrje që të ndalen spekulimet në rrjetet sociale lidhur me rrethanat e ngjarjes, duke theksuar se aludimet e pabazuara po rëndojnë gjendjen e tyre emocionale.
Ata kanë shprehur shqetësim të veçantë për qarkullimin e një videoje të incidentit në rrjetet sociale dhe në disa media, duke kërkuar që ajo të mos shpërndahet më tej, pasi po shkakton dhimbje të madhe për familjen dhe miqtë.
Reagime ndaj publikimit të pamjeve ka pasur edhe nga autoritetet lokale, të cilat kanë dënuar shpërndarjen e materialeve të tilla dhe kanë bërë thirrje për heqjen e tyre nga platformat online.
Familja ka njoftuar se ceremonia e varrimit të 19-vjeçarit do të mbahet më 9 qershor.