Kurti: Kosova synon statusin e vendit kandidat në BE, Austria mbetet partner kyç
Kryeministri Albin Kurti ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj Austrisë për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës ndër vite. Ai kujtoi se Austria ishte shteti i parë që njohu diplomat e Universitetit të Prishtinës në fillim të viteve ’90 dhe ka kontribuar në shumë fusha, duke përfshirë sigurinë, demokratizimin, arsimin dhe integrimin evropian të Kosovës.
Sipas Kurtit, Kosova e konsideron Austrinë një aleat të rëndësishëm dhe një mik të qëndrueshëm, me të cilin synon të zgjerojë bashkëpunimin ekonomik, investimet dhe shkëmbimet tregtare. Ai vlerësoi gjithashtu përkrahjen austriake për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, veçanërisht në Këshillin e Evropës.
“Jemi mirënjohës për mbështetjen e Austrisë në rrugëtimin tonë drejt Këshillit të Evropës. Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet dhe ka marrë mbi 82% të votave në Asamblenë Parlamentare. Tani presim që çështja të futet në agjendë dhe Kosova të bëhet anëtare e plotë”, deklaroi Kurti.
Duke folur për integrimin evropian, ai theksoi se pas heqjes së masave të Bashkimit Evropian, Kosova duhet të avancojë drejt marrjes së statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave për anëtarësim në BE.
Kurti nënvizoi se në Forumin Ekonomik të Vjenës, Kosova po prezanton mundësi të shumta investimi në projekte strategjike, si hekurudhat, digat, gazifikimi, stadiumet, turizmi në Brezovicë dhe Rugovë, si dhe projekte në sektorin e ujërave dhe mbrojtjes së mjedisit. Sipas tij, përvoja dhe afërsia e Austrisë e bëjnë atë një partner të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës.