Analisti Arjan Curri ka komentuar protestën që po zhvillohet në Tiranë kundër projektit të Zvërnecit, duke e krahasuar atë me një reality show politik. I ftuar në emisionin “Live From Tirana”, ai tha se kryeministri Edi Rama mund ta kthejë protestën në një spektakël publik, gjë që sipas tij përbën edhe rrezikun më të madh për protestuesit.
Curri e quajti protestën “Big Brother Bulevard”, duke shtuar me ironi se në këtë format, rolin e “Vëllait të Madh” e ka vetë Rama. Sipas tij, do të ketë “eliminime”, por jo në kuptimin tradicional, pasi vëmendja do të përqendrohet tek figurat që qytetarët dëshirojnë të shohin në drejtimin e vendit.
Gjatë intervistës, analisti përmendi disa emra që sipas tij po diskutohen dhe propozohen nga qytetarët si alternativa të mundshme për postin e kryeministrit. Mes tyre ai renditi gazetarin Marin Mema, aktorin Florjan Binaj dhe gazetarin Blendi Salaj.
Curri theksoi se protesta duhet të marrë një drejtim serioz politik dhe të mos mbetet thjesht një spektakël mediatik, duke shprehur shpresën që debati publik të fokusohet tek zgjidhjet dhe jo tek show-t televizive.