Nga 300 deri në 2 000 lekë do të variojnë tarifat për përdorimin e shezllonëve gjatë këtij sezoni turistik në plazhet publike që administrohen nga Bashkia Lezhë. Çmimet janë përcaktuar sipas zonës dhe nivelit të shërbimit të ofruar.
Vendimi për tarifat dhe organizimin e stacioneve të plazhit u miratua me shumicë votash nga Këshilli Bashkiak i Lezhës. Sipas autoriteteve vendore, këto çmime do të shërbejnë si pikë reference edhe për strukturat hoteliere, me synimin për të shmangur abuzimet e konstatuara në sezonet e mëparshme.
Gjatë mbledhjes së këshillit, kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, deklaroi se pushuesit do të kenë mundësi të zgjedhin mes alternativave të ndryshme, nga ato më ekonomike deri te shërbimet premium, në varësi të kushteve dhe komoditetit që ofrohet.
Ndërkohë, përfaqësuesit e opozitës në Këshillin Bashkiak kundërshtuan tarifat e miratuara, duke i cilësuar ato të larta dhe duke argumentuar se mund të rrisin kostot për pushuesit gjatë sezonit veror.