Tragjedi në Prizren: 27-vjeçari humb jetën pas një konflikti mes kushërinjve, plagoset edhe babai i tij
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e së dielës në fshatin Kobaj të Prizrenit, ku një konflikt mes dy familjeve, të afërm mes vete, ka përfunduar me një viktimë dhe një të lënduar.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka bërë të ditur se rreth orës 11:50 është raportuar për një përleshje ku janë përdorur mjete të forta.
Si pasojë e plagëve të marra nga një mjet i mprehtë, dyshohet thikë, një 27-vjeçar ka humbur jetën, ndërsa babai i tij, rreth 57 vjeç, ka mbetur i lënduar dhe ka marrë trajtim mjekësor.
Pas incidentit, personat e dyshuar dhe familjarët e viktimës janë shoqëruar në Stacionin Policor të Prizrenit për procedura të mëtejshme.
Në vendngjarje kanë dalë njësitë relevante policore dhe drejtues të Policisë Rajonale, të cilët kanë ndërmarrë masa për garantimin e sigurisë dhe qetësimin e situatës.
Hetimet po zhvillohen në koordinim me Prokurorin e Shtetit, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve që çuan në këtë ngjarje tragjike.