Një prej protestuesve që mori pjesë sot në tubimin para Kryeministrisë i bëri thirrje SPAK-ut të intensifikojë veprimet kundër korrupsionit dhe të ndërmarrë masa ligjore ndaj zyrtarëve që dyshohen për shkelje.
Gjatë fjalës së tij, ai deklaroi se qytetarët mbështesin punën e Prokurorisë së Posaçme, por kërkojnë rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit. Sipas protestuesit, nëse nuk ka veprime të dukshme nga institucionet e drejtësisë, qytetarët do të vijojnë protestat dhe do të shtojnë presionin publik në mënyrë paqësore.
“SPAK duhet të veprojë dhe të tregojë vendosmëri ndaj çdo politikani të korruptuar. Qytetarët kanë treguar gjatë ditëve të protestës se janë në mbështetje të drejtësisë, por presin hapa konkretë. Revolucioni ynë është paqësor dhe synon që përgjegjësit për abuzimet me paratë publike të përballen me ligjin”, u shpreh ai.
Protestuesi u bëri gjithashtu thirrje qytetarëve që të angazhohen në mënyrë demokratike dhe paqësore për të kërkuar llogaridhënie nga institucionet dhe zyrtarët publikë.