Në seancën e kësaj të enjte në Kuvendin e Shqipërisë janë miratuar ndryshimet në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë, të cilat parashikojnë masa më të ashpra ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit.
Kuvendi i votoi këto ndryshime me 84 vota pro, ndërsa në votim ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama.
Sipas ndryshimeve të reja, drejtuesit e mjeteve që kapen duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi nuk do të kenë të drejtë të pajisen me patentë për një periudhë prej një viti. Ndërkohë, për të miturit, afati për marrjen e patentës shtyhet me dy vite nga momenti kur lind e drejta ligjore për përfitimin e saj.
Gjithashtu, shoferëve që kapen përsëritës duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, me nivel alkooli mbi 0.5 g/l në gjak, do t’u hiqet patenta përgjithmonë.