Lëvizja Vetëvendosje ka mohuar çdo përfshirje si subjekt politik në protestat që po zhvillohen prej 23 ditësh në Shqipëri.
Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Enver Dugolli, deklaroi se partia nuk ka asnjë rol organizativ apo politik në këto protesta. Sipas tij, mbështetja që mund të shfaqet nga aktivistë apo eksponentë të Vetëvendosjes është thjesht individuale dhe lidhet me solidarizimin ndaj kërkesave të qytetarëve.
“Vetëvendosje nuk ka asnjë lidhje me organizimin e kësaj proteste. Disa aktivistë apo individë mund të solidarizohen me kërkesat e qytetarëve, por kjo nuk përfaqëson qëndrimin apo angazhimin e subjektit politik”, u shpreh Dugolli.
Ai i bëri thirrje kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që të mos e përfshijë Vetëvendosjen në deklaratat e tij për protestat, duke theksuar se vëmendja duhet të përqendrohet te qytetarët dhe shqetësimet e tyre.
“Gjuha e përdorur nga Rama nuk i shërben debatit publik. Ai duhet të dialogojë me qytetarët që po protestojnë dhe të reflektojë mbi kërkesat e tyre, në vend që të merret me Vetëvendosjen”, tha Dugolli.
Sipas tij, protestat në Tiranë dhe qytete të tjera, si edhe pjesëmarrja e shqiptarëve nga diaspora, janë shprehje e pakënaqësisë qytetare ndaj zhvillimeve politike në vend dhe nuk kanë lidhje me organizimin e ndonjë subjekti politik nga Kosova.
Nga ana tjetër, në reagimet e tij të fundit, kryeministri Edi Rama ka përmendur individë dhe mbështetës të Vetëvendosjes në kontekstin e protestave, duke i cilësuar disa prej tyre si pjesë e asaj që ai e quajti “çorbë dreqërish”. Megjithatë, ai ka bërë dallim mes tyre dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Rama ka kritikuar gjithashtu pjesëmarrjen e personave nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në protesta, duke theksuar se ata nuk përfaqësojnë diasporën shqiptare të Shqipërisë.


Be First to Comment