Debati rreth projektit turistik në Zvërnec vijon të mbetet në qendër të vëmendjes publike, ndërsa kompania Affinity Partners ka mohuar çdo përfshirje direkte në investimin që ka nxitur protesta të shumta në Shqipëri.
Pas interesimit të mediave ndërkombëtare, kompania sqaroi se nuk ka rol në zhvillimin e projektit dhe se çdo shtetas amerikan i lidhur me nismën vepron në emër personal, jo si përfaqësues i Affinity Partners.
Nga ana tjetër, drejtuesi i Sazan Real Estate Development LLC, Asher Abehsera, mbrojti projektin duke theksuar se ai synon të promovojë potencialin turistik të Shqipërisë, të krijojë vende të reja pune dhe të sjellë zhvillim ekonomik për zonën.
Ndërkohë, protestat kundër projektit kanë vijuar për javë me radhë në Tiranë dhe Vlorë. Kundërshtarët shprehin shqetësime për ndikimin e mundshëm në mjedis dhe kërkojnë më shumë transparencë mbi investimin.
Abehsera deklaroi se vendimmarrja përfundimtare mbi të ardhmen e projektit i takon institucioneve dhe qytetarëve shqiptarë, duke theksuar se synimi është krijimi i një projekti që do të sjellë përfitime afatgjata për vendin.


Be First to Comment