Ndërsa protestat kundër projekteve turistike në Sazan dhe Zvërnec vazhdojnë prej javësh, kompania e lidhur me investimin ka reaguar ndaj debatit që ka përfshirë opinionin publik.
Sipas një raportimi të CNBC, kompania “Affinity Partners”, e themeluar nga Jared Kushner, ka sqaruar se nuk ka rol të drejtpërdrejtë në projektin që po zhvillohet në Shqipëri. Në përgjigjen e saj, kompania theksoi se zhvilluesi i investimit është “Sazan Real Estate Development LLC” dhe jo “Affinity Partners”.
Po ashtu, u bë e ditur se çdo shtetas amerikan i përfshirë në nismë vepron në kapacitet personal dhe jo si përfaqësues i kompanisë.
Nga ana tjetër, drejtuesi i “Sazan Real Estate Development LLC”, Asher Abehsera, deklaroi se projekti synon të promovojë potencialin turistik të Shqipërisë, të krijojë vende të reja pune dhe të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të zonës.
“Synimi ynë është të vlerësojmë bukuritë natyrore të Shqipërisë dhe të ndërtojmë një projekt për të cilin brezat e ardhshëm mund të jenë krenarë”, u shpreh ai.
Deklarata vjen në një kohë kur kundërshtimet ndaj projekteve në Sazan dhe Zvërnec mbeten të forta, ndërsa protestuesit kërkojnë mbrojtjen e zonave natyrore dhe më shumë transparencë mbi investimet strategjike.


Be First to Comment