Policia e Tiranës ka proceduar penalisht në gjendje të lirë 15 persona, të cilët dyshohen se kanë marrë pjesë në tubimin e zhvilluar në kryeqytet, duke u akuzuar për organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme, prishje të rendit dhe qetësisë publike, si dhe pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit.
Sipas njoftimit zyrtar, të proceduarit janë shtetasit me iniciale: A. G., G. P., A. T., D. G., L. K., E. S., A. K., E. L., V. D., G. K., A. P., Dh. C., A. B., L. G. dhe F. K.
Policia bën me dije se tubimi ishte njoftuar të zhvillohej nga ora 19:00 deri në orën 22:00 në Sheshin “Skënderbej” dhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Megjithatë, sipas autoriteteve, pjesëmarrësit vijuan lëvizjen edhe në disa akse të tjera të kryeqytetit, përfshirë Rrugën e Elbasanit, zonën e 9-Katësheve, ish-Bllokun dhe segmente të Unazës, duke bllokuar qarkullimin e automjeteve përtej orarit dhe perimetrit të njoftuar zyrtarisht.
Në kuadër të hetimeve, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një automjet dhe dy aparate celularë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e veprimeve të mëtejshme hetimore.

Be First to Comment