Një ngjarje tragjike ka ndodhur të dielën në fshatin Maznik të Deçanit, ku babë e bir humbën jetën pasi dyshohet se u goditën nga rryma elektrike.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Driton Rugova, i cili bëri të ditur se viktimat dyshohet se kanë rënë në kontakt me energjinë elektrike teksa po pastronin veturën në oborrin e shtëpisë.
Pas incidentit, ata u transportuan fillimisht në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan dhe më pas në Spitalin Rajonal të Pejës, ku mjekët konstatuan se fatkeqësisht nuk kishin mundur t’u shpëtonin jetën.
“Fillimisht janë dërguar në QKMF-në e Deçanit, e më pas në Spitalin Rajonal të Pejës, ku është konstatuar vdekja e tyre”, deklaroi Rugova.
Viktimat janë identifikuar si Xhemajl Mustafaj dhe djali i tij, Hasan Mustafaj. Policia dhe organet kompetente kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Be First to Comment