Qeveria ka miratuar një bonus të ri financiar për pensionistët, i cili do të njihet si “Bonusi i Verës”. Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj.
Sipas saj, bonusi do të jetë në vlerën 5 mijë lekë dhe do të përfitohet nga rreth 777 mijë qytetarë në të gjithë Shqipërinë.
Ministrja sqaroi se përfitues të kësaj mase janë 656 325 pensionistë, 65 636 përfitues të pensionit të invaliditetit, 48 400 përfitues të pensionit familjar, si dhe 6 840 qytetarë që trajtohen me skema të veçanta.
Sipas Ibrahimajt, fondi i parashikuar për zbatimin e këtij vendimi arrin në rreth 3.7 miliardë lekë. Ajo theksoi se bonusi është pjesë e politikave mbështetëse të qeverisë për pensionistët dhe është bërë i mundur falë ecurisë pozitive të ekonomisë dhe të ardhurave shtesë të mbledhura gjatë pesëmujorit të parë të vitit.
Në përfundim të deklaratës së saj, ministrja shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave të aksidentit tragjik të ndodhur në linjën interurbane Tiranë–Berat.

Be First to Comment