Vjosa Osmani mohon nisjen e procedurës për shkarkimin e Abdixhikut: Nuk ka asnjë nënshkrim të dorëzuar
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se deri tani nuk është dorëzuar asnjë nënshkrim për shkarkimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Osmani tha se takimi në selinë e LDK-së nuk ishte i fokusuar vetëm te Abdixhiku, por pjesë e një serie takimesh për diskutimin e hapave të ardhshëm të partisë.
“Ne nuk jemi takuar vetëm me Abdixhikun, kemi pasur edhe shumë takime të tjera. Kemi diskutuar se si të ecim përpara edhe më fuqishëm. Për çështjet e brendshme të partisë mund t’i drejtoheni zëdhënësit të LDK-së, por nuk është dorëzuar asnjë nënshkrim”, ka thënë Osmani.
Deklarata e saj vjen pasi u raportua se brenda LDK-së ka nisur një iniciativë për mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e një kuvendi të jashtëzakonshëm, ku mund të kërkohej edhe shkarkimi i Abdixhikut pas rezultatit të fundit zgjedhor.
Sipas raportimeve, iniciativën për këtë proces po e udhëheqin kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, dhe kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti. Burime të cituara nga mediat kanë bërë të ditur se deri tani janë mbledhur rreth 150 nënshkrime nga 355 delegatë sa ka gjithsej LDK-ja.

Be First to Comment