Pishina e Gërmisë mbyllet përkohësisht, priten rezultatet e analizave të ujit
Pishina e Gërmisë do të qëndrojë e mbyllur përkohësisht pas kërkesës së Inspektoratit Sanitar, deri në marrjen e mostrave dhe përfundimin e analizave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).
Njoftimi është bërë nga ndërmarrja “Sport Marketing”, e cila ka sqaruar se kontrollet e cilësisë së ujit kryhen në mënyrë të rregullt dhe se matjet realizohen sipas standardeve dhe procedurave të përcaktuara për mirëmbajtjen e pishinës.
Sipas ndërmarrjes, gjendja aktuale e pishinës është e mirë, si sa i përket cilësisë së ujit, ashtu edhe ambienteve të saj. Megjithatë, për shkak të procedurave të kërkuara nga IKSHPK-ja dhe me qëllim garantimin e transparencës ndaj qytetarëve, do të priten rezultatet zyrtare të analizave para rikthimit në funksion.
“Sport Marketing” ka bërë të ditur se do të zbatojë të gjitha vendimet e institucioneve përgjegjëse, duke vendosur në plan të parë sigurinë dhe shëndetin e qytetarëve.
Pas përfundimit të analizave dhe marrjes së rezultateve zyrtare nga IKSHPK-ja, ndërmarrja do të njoftojë publikun për datën e rihapjes së Pishinës së Gërmisë.

Be First to Comment