Të shtëna me armë në Laç, një person humb jetën – policia rrethon zonën dhe nis hetimet
Një person ka humbur jetën mbrëmjen e së enjtes në Laç, pas një ngjarjeje me armë zjarri që ka vënë në lëvizje forcat e Policisë së Shtetit dhe shërbimet e urgjencës.
Sipas informacioneve paraprake, viktima është shtetasi Ilir Lika, rreth 40 vjeç. Rrethanat e ngjarjes nuk janë bërë ende të ditura, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të saj.
Menjëherë pas raportimit për të shtëna me armë, efektivët e policisë mbërritën në vendngjarje, rrethuan zonën dhe ngritën postblloqe në hyrje dhe dalje të qytetit, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve.
Sipas burimeve paraprake, hetuesit po verifikojnë nëse ngjarja mund të ketë lidhje me konflikte të mëparshme kriminale, ku viktima ishte përmendur në hetime për vepra të ndryshme penale, përfshirë vrasje, plagosje dhe tentativa për vrasje. Megjithatë, autoritetet nuk kanë konfirmuar ende një motiv zyrtar.
40-vjeçari ishte përmendur më herët edhe në hetimet për atentatin e ndodhur më 30 maj 2020 në Laç, ku humbën jetën biznesmenët Paulin Gjergji dhe Bujar Lika. Nga ana tjetër, familjarët e tij kanë mohuar vazhdimisht çdo përfshirje në atë ngjarje, duke deklaruar se ai nuk kishte lidhje me atentatin.
Policia dhe grupi hetimor vijojnë punën në vendngjarje për mbledhjen e provave dhe sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Be First to Comment