Një ngjarje tragjike është regjistruar këtë të diel në fshatin Orizaj të Beratit, ku një adoleshent 15-vjeçar humbi jetën pasi u mbyt në lumë.
Sipas informacioneve paraprake, viktima, Fatjon Sadushi, kishte qenë duke punuar në arë së bashku me të atin. Pas përfundimit të punës, ai dyshohet se ka hyrë në lumë për t’u freskuar, por është marrë nga rrjedha e ujit dhe është tërhequr disa metra më poshtë.
Babai i të miturit u fut menjëherë në lumë në përpjekje për ta shpëtuar. Megjithëse arriti ta nxirrte në breg, 15-vjeçari nuk shfaqte më shenja jete.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë shërbimet e Policisë dhe ekipet e urgjencës mjekësore, por fatkeqësisht nuk ishte e mundur të shpëtohej.
Trupi i viktimës është dërguar në morgun e Spitalit Rajonal të Beratit, ku do t’i nënshtrohet autopsisë mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
Ndërkohë, grupi hetimor po vijon veprimet procedurale për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Be First to Comment