Aktivisti Ilir Xhemalaj u shpreh nga protesta para Kryeministrisë, e cila ka hyrë në ditën e 44-t, se organizatorët nuk kanë lidhje me nismën për dhënien e vlerësimeve negative ndaj bizneseve në platformat online.
Sipas tij, asnjë prej organizatorëve nuk ka nxitur qytetarët të publikojnë komente apo vlerësime të tilla. Ai theksoi se protesta ka si objektiv kundërshtimin ndaj kryeministrit Edi Rama, të cilin e cilësoi si jolegjitim, dhe jo bizneset.
Xhemalaj kritikoi gjithashtu deklaratat për hetimin e mijëra qytetarëve që kanë lënë komente negative në internet, duke argumentuar se shprehja e mendimit në formën e vlerësimeve online nuk përbën vepër penale.
“Ne nuk kemi organizuar dhe as nuk kemi inkurajuar askënd të bëjë review negative ndaj bizneseve. Qëndrimi ynë është i qartë: protesta jonë është kundër sistemit dhe kryeministrit Edi Rama. Nuk kemi asnjë konflikt me bizneset,” deklaroi ai.
Në fund, aktivisti bëri të ditur se protestat do të vazhdojnë edhe në javët në vijim dhe shprehu bindjen se muaji shtator mund të sjellë zhvillime të rëndësishme në skenën politike.
“Do të vazhdojmë protestën. Besoj se në shtator do të ketë ndryshime të mëdha, ndoshta edhe më herët, por presim që ai muaj të shënojë një kthesë të rëndësishme,” u shpreh Xhemalaj.

Be First to Comment