Shqipëria pritet të përfitojë më shumë fonde nga Bashkimi Evropian në vitet e ardhshme, ndërsa afrimi me strukturat e BE-së rrit edhe pritshmëritë për mbështetje financiare nga Brukseli.
Procesi i integrimit ekonomik po ecën paralelisht me rrugën drejt anëtarësimit të plotë, ndaj Bashkimi Evropian po mbështet Shqipërinë përmes “Planit të Rritjes”, një program që synon të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor në zbatimin e reformave dhe përafrimin me standardet evropiane.
Sipas parashikimeve të reja, Shqipëria synon të përfitojë rreth 500 milionë euro gjatë periudhës 2026-2029 nga ky instrument financiar. Në dokumentin e rishikuar makroekonomik, qeveria ka rritur pritshmëritë për fondet që do të vijnë nga “Plani i Rritjes” me rreth 27.4 miliardë lekë.
Përjashtim bën vetëm viti aktual, ku objektivi është ulur, ndërsa për vitet pasuese parashikohet një rritje e ndjeshme e fondeve të përfituara, veçanërisht në vitin 2028.
Në total, gjatë këtij katërvjeçari Shqipëria synon të përthithë rreth 47.4 miliardë lekë, ose afërsisht 500 milionë euro, krahasuar me rreth 213 milionë euro që ishin planifikuar më herët.
Ministria e Financave parashikon që vendi të përfitojë rreth 14.1 miliardë lekë në vitin 2027, rreth 16.9 miliardë lekë në 2028 dhe rreth 14.7 miliardë lekë në 2029.
Sipas autoriteteve, Shqipëria ka përfituar deri tani rreth 212.8 milionë euro nga “Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor”.
Ky program, me një vlerë totale prej 6 miliardë eurosh – ku përfshihen 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi – u miratua nga Komisioni Evropian në vitin 2023 dhe fondet shpërndahen në bazë të reformave që vendet përmbushin.

Be First to Comment